Live Stories from Prishtina

LIVE

November 23, 2023

Note: Ky blog është krijuar për t’iu ofruar juve një këndvështrim të sinqertë rreth temave të caktuara, duke filluar nga librat dhe kultura, e deri tek mendimet dhe qëndrimet tona. Çfarëdo që të duket personale, mos e konsidero të tillë. Disa janë të bazuara në eksperienca personale, disa në vlerësime filozofike e psikologjike, e disa të tjera në evidencë. Ideja është që të mësosh diçka nga përvojat tona dhe pse jo të të gjenden ndonjëherë në jetë. No hard feelings. It’s all based on a true story. Paper Team

Jeta shpesh na sjell njerëz të cilët rrezatojnë mirësi dhe energji pozitive. Kjo, ndoshta për faktin se ata e shijojnë me të vërtetë jetën dhe zgjedhin të reflektojnë si të tillë.

Në këtë mënyrë, ata na prezantojnë një pikëpamje më ndryshe në krahasim me idetë dhe qendrimet tona, të cilat sipas nesh kanë qenë të pandryshueshme.

Nganjëherë kërkojmë vetëm një arsye që të jemi të lumtur dhe të kënaqur, teksa lumturia e vërtetë gjendet në ato pak momente që i përjetojmë çdo ditë. Ngrohtësia e diellit të mëngjesit, aroma e një kafeje teksa zihet në mëngjes, era e tokës pas shiut, një bisedë e mirë me familjarët, një muzikë e mirë e shoqëruar me verë, një dush i shpejtë pas një dite të ngarkuar me punë. Pra, të gjitha këto ndjesi, të cilat në momentin që ndodhin mbase nuk iu kushtojmë mjaft vëmendje.

Një pikëpamje të tillë, me një qasje mjaft pozitive e ofron edhe libri Hygge, i shkruar nga Meik Wiking, apo i njohur si “Mënyra e të jetuarit mirë sipas danezëve”.

Hygge—ka kuptimin e një atmosfere të mirë, të këndshme, e cila përshkruan gjithçka, nga arti i krijimit të intimitetit dhe rehatia e shpirtit, deri tek kënaqësia e përfituar nga prania e momenteve qetësuese.

Ky libër na prezanton me jetesën daneze dhe ofron këshilla dhe ide për t’i përfshirë ato në jetën tuaj.

Bëni një pushim, fikni telefonat, ulni dritat, ndizni qirinjtë, ndërtoni marrëdhënie te reja, kaloni kohë me familjen tuaj, jepini vetes një pushim, gatuani me të dashurit, jetoje jetën sot, sikur nuk do të kishte më nesër janë vetëm disa nga këshillat që ky libër na prezanton.

I njohur si New York Bestseller, libri vë në theks sesi danezët e vlerësojnë dritën si faktor kryesor dhe sidomos përdorimin e qirinjve, si një gjë e cila ofron ngrohtësi shpirtërore dhe ndikon drejtpërsëdrejti në gjendjen tonë emocionale.

Ajo çfarë gjendet në këtë libër janë detajet e vogla, qasja pozitive e autorit ndaj traditave, festave, barazisë dhe ushqimit.

Leximi i këtij libri do t’iu ofrojë pasqyrën e një jetese të qetë, duke i çmuar gjërat që i kemi përballë.