Live Stories from Prishtina

LIVE

7 Nëntor, 2024

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndan me ty!

Gjërat e vogla që bëjnë njerëzit por që nuk janë aq të vogla për mirëqenien tonë; kur pyesin “A të duhet diçka?”, kur pyesin “A shkove në shtëpi”, kur ju thonë se u mungoni rutinës së tyre të përditshme. Ahh, jeta është e bukur!!

Ndoshta edhe jeni lodhur nga leximi i të njejtës temë që qarkulloi gjatë gjithë ditës së djeshme; është e pamundur të mos jap edhe qasjen time, pasi flitet për ngjarjet kryesore të së djeshmes.

***Dje

Menjëherë pas triumfit të Donald Trump-it, triumfoi edhe entuziazmi për bashkëpunim i liderëve shtetërorë në Kosovë.

Presidentja Vjosa Osmani, në shkrimin e saj, e theksoi rëndësinë historike të SHBA-së si partner dhe aleat i palëkundur.

Ndërsa kryeministri Albin Kurti shfaqi dëshirën e tij për bashkëpunim dhe përparim në paqe.

Çfarë mund të jetë e pritshme nga administrata e re e Trump-it, tani që dinamika e ngjarjeve me administratën e kaluar ishte me “mësime ndryshe”? A do të përfitojmë më shumë? Apo vëmendja e SHBA-ve këtë herë do të jetë për dy luftërat e mëdha në botë, si në Lindje dhe në konfliktin Rusi-Ukrainë?

Gjatë presidencës së tij të parë, Trump-i u fokusua në diplomacinë ekonomike për të adresuar çështjet mes Kosovës dhe Serbisë. Në 2020, administrata e tij ndërmjetësoi Marrëveshjen e Washington-it, e cila synonte nxitjen e bashkëpunimit ekonomik dhe përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe.

*** Rreth e rrotull

Trump në presidencën e tij të parë, sipas BE-së, kishte kthyer valën e shpenzimeve për mbrojtjen në Evropë në trajektoren e rritjes, duke e forcuar NATO-n.

A do të ketë Ballkani një rikthim të ish të dërguarit special, Richard Grenell?

***

Përderisa dëshmia në Hagë ndaj Thaçit dhe të tjerëve po vazhdon, a do të ketë ndonjë ndryshim me ardhjen e administratës Trump, tani edhe pas dorëheqjes së prokurorit Jack Smith?

***Prishtinë

Edhe pse u fol për një krisje të raporteve mes kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, të dy u shfaqën dje së bashku, duke vlerësuar punën e tyre pas më se një viti No Contact.

Kulturë***

Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë tashmë ka hapur ekspozitën vjetore të Çmimit “Artistët e së nesërmes 2024” me artistët: Mimoza Sahiti, Luiza Thaqi dhe Dion Zeqiri, të kuruar nga Albert Heta dhe Vala Osmani. Veprat e shfaqura të Mimoza Sahitit, Luiza Thaqit dhe Dion Zeqirit “trajtojnë çështje thelbësore që ndikojnë në shoqërinë tonë dhe ofrojnë provokime të guximshme dhe të nevojshme që flasin për kompleksitetin tonë të përbashkët.” Shpallja e fituesit bëhet sonte, më 7 nëntor 2024, ora 20:00, te Klubi i Boksit, rruga Mark Isaku 8.