3 Janar, 2025
E keni parasysh, ato ditët kur jeni me grupin e shoqërisë dhe bëni plane, mirëpo tripi juaj varet nga ai shoku/shoqja që ka veturë? Një ndryshim i planit që mund t’i ndodh këtij shokut, të prishet disponimi pse nuk po realizohet plani. Bile, bile, mund të jetë edhe shkak për të mos folur disa ditë…
Ky është shembulli ndoshta më banal për çka kapemi dhe çka na prish disponimin… Po a e keni menduar jetën e atyre që varen nga ndihma dhe prezenca e dikujt? Dikë që duhet ta mbajë krahun për të ecur, dikë që duhet t’i tregojë se ku është duke shkelur, dikë që duhet t’i tregojë çfarë ngjyre ka veshja e tij.
Rrallë mendojmë për këto sfida, veç kur “t’preket i joti”, thotë populli.
Më 4 janar shënohet Dita Botërore e Alfabetit Braille. Në këto ditë, institucioneve shtetërore u bie ndërmend për personat e komunitetit të verbër, ani pse sfidat e tyre janë të përditshme.
Që nga momenti që Luma Berisha (gazetare, autore e emisionit ne Radio Kosovë) hedh hapin jashtë derës së shtëpisë, ajo duhet ta ketë krahun mbështetës të nënës së saj për të shkuar në punë dhe për t’u kthyer.
Nëse Luma do të preferonte trafikun urban ose autobusin për në destinacionin që ka, asaj i duhet dikush për t’i treguar se duhet të zbresë këtu ose të mësojë përmendësh numrin e stacioneve, deri në zbritje.
Pse nuk ekziston të paktën mundësia për ta treguar me zë emrin e rrugës, lagjës, stacionit të afërt, etj?
Qeveria e kishte shpallur vitin 2022 si Vit të Personave me Aftësi të Kufizuara, por ishte vetëm një vendim simbolik. Asgjë konkrete nuk ka ndodhur.
Sa është pensioni i invalidëve? Çka ja del për të mbajtur një nënë, një baba me pensionin prej 150 eurove?
Cilën literaturë audio ka siguruar shteti për nivelin universitar (përveç atyre të shkollës fillore dhe të mesme të ulët) tash e sa vite, kur dihet që disa drejtime janë gjithmonë më të përzgjedhurat nga ata, si ai i psikologjisë?
Ani pse tash e shumë vite Betim Brgovina, ka përfunduar studimet në departamentin e psikologjisë në UP dhe punon madje edhe si psikolog shkollor, nuk është që gjeneratat e reja pas Betimi nga komuniteti i të verbërve, kanë hasë në ndonjë përmirësim të gjendjes, që ua ka lehësuar studimet.
Për të përfunduar studimet, për ta duhet një familjarë apo person vullnet-mirë, që të ua regjistrojë literaturën me zë.
Dita e Alfabetit Braille është mundësi për të ngritur ndërgjegjësimin rreth të drejtave dhe nevojave të personave me shikim të dobësuar dhe të verbër. Kjo ditë është një mundësi për të promovuar përdorimin e teknologjive asistuese dhe materialeve edukative në Braille, të cilat janë thelbësore për arsimimin dhe përfshirjen sociale të këtyre individëve.