Fakte abstrakte
25 Qershor, 2026
Disa besojnë se përparimi kërkon ndryshim të vazhdueshëm, ndërsa të tjerë mendojnë se vlerat më të mira lindin pikërisht nga respektimi i trashëgimisë së së kaluarës.
Kur flitet për picën në Shtetet e Bashkuara, shumica e njerëzve mendojnë menjëherë për Nju Jorkun. Por për shumë njohës të gastronomisë, qyteti që ofron një nga picat më të mira në vend nuk është Nju Jorku, por New Haven, në shtetin e Connecticut.
Pica karakteristike e New Havenit njihet për brumin e hollë, skajet e pjekura fort dhe përbërësit e thjeshtë. Një version klasik përgatitet vetëm me pak salcë domatesh dhe djathë Pecorino Romano të grirë, duke lënë që shija e brumit dhe e përbërësve cilësorë të flasë vetë.
Për të kuptuar pse kjo picë është kaq e veçantë, duhet të kthehemi në shekullin XIX. Në mesin e viteve 1800, shumë emigrantë italianë që u vendosën në New Haven vinin nga rajoni i Napolit, përfshirë gadishullin e Sorrentos dhe zonën e Salernos. Ata sollën me vete traditat e picës napolitane me brumë të hollë dhe i ruajtën ato pothuajse të pandryshuara për breza të tërë.
Sipas historianëve lokalë, New Haven është si një kapsulë kohe ku këto tradita italiane u ruajtën, ndërsa në vende të tjera evoluan dhe ndryshuan.
Në zemër të kësaj historie qëndron pizzeria legjendare Frank Pepe Pizzeria Napoletana. E themeluar nga emigranti italian Frank Pepe, ajo konsiderohet piceria më e vjetër në rajonin e New England që vazhdon të funksionojë dhe të drejtohet nga familja themeluese.
Francis Rosselli, nipi i Frank Pepes, thotë se sekreti i suksesit ka qenë gjithmonë respektimi i traditës. Domatet importohen nga Italia dhe përzgjidhen me kujdes çdo vit. Përdoret vaj ulliri italian dhe djathi më cilësor Pecorino Romano që mund të gjendet. Ndërsa furra me qymyr i jep picës pamjen dhe shijen karakteristike, me skaje të pjekura dhe pak të karbonizuara.
“Filozofia e gjyshit dhe gjyshes sime ishte të mos ndryshonin shumë gjëra,” thotë Rosselli.
Sot, Frank Pepe ka 17 lokale, por ndikimi i tij shkon shumë më larg. Stili i picës së New Havenit ka frymëzuar breza të tërë picabërësish. Përveç Frank Pepes, edhe Sally’s Apizza dhe Modern Apizza konsiderohen pjesë e “treshes së madhe” të qytetit, duke tërhequr vizitorë nga e gjithë Amerika.
Një tjetër faktor që ka ndihmuar përhapjen e famës së picës së New Havenit është Universiteti Yale. Për dekada me radhë, studentët që kanë studiuar aty kanë krijuar kujtime të lidhura me këto piceri dhe më pas e kanë përhapur këtë kulturë në qytete të tjera.
Në vitet e fundit, stili i New Havenit ka njohur një shpërthim të vërtetë popullariteti. Restorante që imitojnë këtë traditë janë hapur në të gjithë Bregun Lindor të SHBA-së dhe madje në vende të largëta si Australia, Afrika e Jugut, Skocia dhe Irlanda e Veriut.
Megjithatë, për adhuruesit e vërtetë të picës, origjina mbetet e pazëvendësueshme. Pavarësisht se mund të gjesh pica të stilit New Haven në shumë vende të botës, përvoja autentike vazhdon të jetë në rrugët e qytetit ku kjo traditë lindi më shumë se një shekull më parë.
New Haven vazhdon të tërheqë çdo vit mijëra vizitorë që udhëtojnë vetëm për të provuar një fetë nga pica që shumë e konsiderojnë më të mirën në Amerikë.

