Live Stories from Prishtina

LIVE

April 15, 2023

Note: Ky blog është krijuar për t’iu ofruar juve një këndvështrim të sinqertë rreth temave të caktuara, duke filluar nga librat dhe kultura, e deri tek mendimet dhe qëndrimet tona. Çfarëdo që të duket personale, mos e konsidero të tillë. Disa janë të bazuara në eksperienca personale, disa në vlerësime filozofike e psikologjike, e disa të tjera në evidencë. Ideja është që të mësosh diçka nga përvojat tona dhe pse jo të të gjenden ndonjëherë në jetë. No hard feelings. It’s all based on a true story. Paper Team.

Njerëzit gjatë gjithë kohës janë në përpjekje për të kuptuar veten, duke filluar nga mënyra se si mendojnë, si ndihen e pastaj edhe si veprojnë. Disa arrijnë të shprehin ndjenjat e tyre përmes shkrimit e disa të tjerë përmes pikturës.

Artistët me ekspozitat dhe artin e tyre bëjnë shpalosjen më të mirë të inspirimit që fshehin brenda vetvetes. Shprehja e vullnetit për të trokitur në të tashmen përmes historisë, për të prekur zemrat e njerëzve përmes një teme të caktuar, për të nxitur kreativitet, për të ngjallur një ndjenjë gëzimi, lumturie e dhembshurie janë disa nga mënyrat e prezantimit të krijimeve të tyre.

Artistët shfrytëzojnë një hapësirë mes katër mureve për të shfaqur veprat e tyre, për t’i ballafaquar njerëzit me gjërat që ata i mendojnë, i ndjejnë dhe i shohin, njësoj siç po vepron edhe piktorja Mirjeta Qehaja.

Qehaja ka shfrytëzuar diapazonin e saj në fushën e artit për t’i afruar rreth vetes artdashësit, ku veprat e saj mundohet t’i përfaqësojë në mënyrën më të mirë, e padyshim me fokus në diversitetin kulturor.

Mirjeta Qehaja është diplomuar në Universitetin e Prishtinës, në degën e Pikturës. Ajo veçohet si studentja e parë e komunitetit egjiptian, e cila tashmë ka përfunduar studimet në këtë drejtim.

Përmes artit të saj të veçantë ajo ka arritur të hap edhe ekspozitat e saj personale si “Holokausti”. Inspirimi për këtë ekspozitë erdhi pas një vizite që vetë artistja ka pasur në Auschwitz, ku situatën që e ka observuar në këtë vend ka tentuar ta përkthejë përmes artit, duke i paraqitur vështirësitë që hasin grupe të ndryshme shoqërore në jetën e tyre të përditshme.

Mirjeta bën pjesë kudo ku promovohen vlerat e artit. Ajo është edhe autore e shumë muraleve në qytetin e Prishtinës, Gjakovës dhe Ferizajit.